Ronaldo i befason të gjithë me vendimin final për të ardhmen.
Për këtë siguron mediumi britanik “The Sun”, përcjell Gazeta Express.
Afati kalimtar i verës do të mbyllet të enjten në mesnatë dhe ylli portugez nuk ka kohë më për ta gjetur klubin e ri.
Menaxheri i tij, Jorge Mendes qe një kohë të gjatë është në kërkim të një klubi të ri, por s’ka pasur sukses pasi United s’e ka marrë ndonjë ofertë serioze për 37 vjeçarin.
Kjo nënkupton se “CR7” duhet të pajtohet me fatin dhe t’i përvjelë mëngët, në tentim për ta bindur trajnerin Erik ten Hag që ta angazhojë nga minuta e parë në lojë.
Portugezi e kërkoi largimin nga “Old Trafford” pasi dëshironte të luajë në një ekip që merr pjesë në Ligën e Kampionëve, mundësi kjo të cilën nuk ia ofrojnë “Djajtë e Kuq”.
Duket se edhe mendja e Ronaldos ka ndryshuar pas përforcimeve të fundit që i bëri klubi nga “Teatri i Ëndrrave”.
Ronaldo mund të jetë lojtari ideal për ta ndihmuar Man Utd që të përfundojë në Top 4 në këtë edicion.
Sidoqoftë, ai nuk e ka të garantuar se mund të luajë çdo javë nga minuta e parë nën drejtimin e Ten Hag.
Kohëve të fundit flitej se ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit mund të përfundonte në Chelsea ose në Napoli, por deri tash nuk ka asgjë konkrete.
Sidoqoftë, futbollit nuk i dihet kurrë dhe duhet të presim deri në minutën e fundit të afatit kalimtar të verës.