Befason Van Dijk, ja kush sipas tij e meriton “Topin e Artë”

17:41 | 02 Qershor 2019

Ylli i Liverpoolit, Van Dijk ka treguar se kush sipas tij e meriton Topin e Artë.

Pas paraqitjes së shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, ku udhëhoqi Liverpulin drejt triumfit, Van Dijk po përflitet si kandidat kryesor për fitimin e “Topit të Artë”.

Megjithatë holandezi, që u shpall edhe Lojtari i Vitit në Premier League, nuk shkon aq larg, dhe me modesti shprehet se këtë trofe personal e meriton Messi.

“Mendoj se Lionel Messi është lojtari më i mirë në botë. Mendoj se ai e meriton Topin e Artë për sa kohë do të luajë futboll, ndaj ‘Topi i Artë’ nuk është diçka që e kam në mendje. Natyrisht, nëse ndodh do ta pranoj, por nuk mendoj se do të ndodhë. Jam i bindur që Messi është ende numri 1 në botë. Nuk ka rëndësi nëse shkon apo jo në finalen e Ligës së Kampionëve”, tha ai.

Në konferencën për media Van Dijk shprehu dëshirën që “të kuqtë” të sfidojnë sërish City-n, në luftën për Premier League-n sezonin e ardhshëm.

“Shpresojmë që të sfidojmë sërish Manchester City-n sezonin e ardhshëm, sepse nuk besoj se ata do e ulin ritmin, por as ne nuk do ta ulim. Dy finale rresht në Champions League është diçka fantastike, por edhe shumë e vështirë. Gjithsesi, jemi të gjithë shumë ambiciozë dhe duam të kemi net të tilla disa herë në vit. Do ta provojmë, duke punuar shumë dhe duke qenë të përulur”, vijoi ai.

Kujtojmë që mbrojtësi holandez u transferua në janar të 2018-s nga Southampton te Liverpool për 75 milionë sterlina.

Komento: