Begaj: Krenar që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë

11:22 | 01 April 2023

Shqipëria 14 vjet në NATO, Begaj: Krenar që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se është krenar që vendi i tij është kontribues për paqen dhe sigurinë teksa shënojnë 14-vjetorin e anëtarësimit në NATO.

Begaj, mes tjerash, thotë se bashkë me NATO-n qëndrojmë më të fortë së bashku.

“Katërmbëdhjetë vjet Shqipëri në NATO! Krenar që jemi pjesë e aleancës më të fuqishme dhe më të suksesshme në botë! Krenar që jam kontribues për paqen dhe sigurinë! Qëndrojmë së bashku dhe më të fortë së bashku”, ka shkruar Begaj në Twitter.

Kujtojmë se Shqipëria më 1 prill 2009, u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit..

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Komento: