Begaj u drejtohet autoriteteve të Kosovës: Të ruhet qetësia, të vazhdojë dialogu

16:16 | 08 November 2022

Presidenti i Shqipërisë u drejtohet autoriteteve të Kosovës: Të ruhet qetësia, të vazhdojë dialogu.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka apeluar të martën ka thënë se drejtuesit e institucioneve të Kosovës që ta ruajnë qetësinë dhe të vijojnë dialogun me Serbinë.

Në një prononcim për mediet nga qyteti i Kukësit, ku po zhvillon një vizitë, Begaj u ndal edhe tek situata në veri të Kosovës.

“Mesazhi im për autoritetet e qeverisë së Kosovës është që të ruhet qetësia, të vazhdohet dialogu, sepse vetëm nëpërmjet dialogut mund të arrihet zgjidhja e problemeve”, ka thënë Begaj.

“Situata në tërësi globale e sigurisë është e cenuar. Siç e dini, sulmi i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës ka bërë që të çorientohet e gjithë situata e sigurisë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që unë e vlerësoj që është një situatë e qetë, por shumë e brishtë dhe në çdo kohë mund të këtë tensione”, ka thënë Begaj.

“Ne si shqiptarë, si një komb, duhet të ruajmë qetësinë, duhet të mos biem pre e provokimeve dhe të garantojmë që jemi njerëz qytetarë, nuk duam luftën, por duam paqen dhe duhet të kontribuojmë sa më shumë për zgjidhjen e problemeve vetëm nëpërmjet dialogut”, ka deklaruar presidenti shqiptar.

Komento: