Bëhen përgatitjet për rikthimin e nxënësve në shkolla në Komunën e Gjilanit

14:41 | 25 Gusht 2020

Komuna e Gjilanit bën përgatitjet për rikthimin e nxënësve në shkolla.

Komuna e Gjilanit i ka bërë të gjitha përgatitjet për rikthimin e nxënësve në objektet shkollore në shtator.

Konfirmimi ka ardhur gjatë takimit të të parit të komunës Lutfi Haziri me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Gjilanit.

“Duhet t’i kthejmë fëmijët në shkolla. Nuk është e lehtë në këtë kohë pandemie për shkak se lëvizin një numër i madh i nxënësve dhe i qytetarëve. Kjo na bën që të kemi shumë angazhim për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Angazhimi nënkupton që fëmijët duhet të kontrollohen çdo ditë dhe të jenë nën mbikëqyrje ditore, përfshirë edhe kujdesin e mësimdhënësve”.

Ai tha se duhet të rritet roli i prindërve dhe i Këshillit të Nxënësve, derisa ambulantat në lagje dhe fshatra hynë në menaxhim ditor me personel shëndetësor.

“Ata do të kujdesen për shëndetin e nxënësve dhe të personelit gjatë ditës. Duhet të ndërmerren të gjitha masat kundër përhapjes së COVID-19. Do të punojmë sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe MSH-së. Fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur rast të bartjes së infeksionit nga ana e fëmijëve”.

Drejtori i Arsimit në Gjilan Nazim Gagica tha se nxënësit nga klasa 1-9 do të vijojnë mësimin në objektet shkollore, derisa nxënësit e shkollave të mesme 10-12 do të kthehen në shkolla sipas planit B të Ministrisë së Arsimit – që është një javë mësim në shkollë e një javë mësim online.

Komento: