Edhe një vajzë 14 vjeçare është bërë nënë në Gjilan.
Një vajzë 14-vjeçare nga fshati Uglar i Komunës së Gjilanit, është bërë nënë më 24 nëntor të këtij viti.
Lindja e foshnjës është bërë nga një rast incesti ku vajza 14-vjeçare ka kryer marrëdhënie seksuale me djalin e dajës 16-vjeçari, merr vesh Insajderi.
Mirëpo foshnja që ka ardhur në jetë nga marrëdhënia seksuale e dy të miturve është braktisur. Ajo është duke qëndruar ende në spital.
14-vjeçarja ka lindur në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Nga Policia e Kosovës kanë treguar se edhe babai i foshnjë është vetëm 16-vjeçar.
“Vajza që ka lind e ka datëlindjen më 10.06.2004 rasti është raportuar me 24 nëntor, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, fëmijën e ka me një person që është i lindur me 10.01.2002”, ka konfirmuar për Insajderin Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Nga Spitali Rajonal i Gjilanit kanë konfirmuar për Insajderin se foshnja është braktisur por është duke vazhduar të qëndrojë në spital për shkak se është ende me terapi.
Kryeshefi i Departamentit për nëna dhe fëmijë, Blerim Bajrami, nga Spitali i Gjilanit ka thënë për Gazetën Insajderi se foshnja është braktisur dhe se pas Vitit të Ri pritet që foshnja të merret nga institucionet përgjegjëse.
“Foshnja është e braktisur, qendra për punë sociale ka dashtë me marr për me dërgua tek institucionet përgjegjëse mirëpo nuk e kemi liruar për shkak se ka qenë me terapi dhe pas Vitit të Ri besoj që do të vinë ta marrin”, ka thënë Dr. Blerim Bajrami.
Kujtojmë se të martën e kësaj jave në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka lindur një vajzë 13-vjeçare.