Behgjet Pacolli: Do ta votoj mocionin për rrëzimin e Qeverisë “Kurti”

17:03 | 22 Mars 2024
behgjet-pacolli:-do-ta-votoj-mocionin-per-rrezimin-e-qeverise-“kurti”

Sot janë bërë tri vjet të qeverisjes së Albin Kurtit. Nga opozita puna e kësaj qeverie po kritikohet mjaftë shumë.  Ata po thonë se në qeverisjen e Kurtit ka pasur nepotizëm, degradim, mashtrim e korrupsion.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti mbrëmë në një intervistë ka thënë se nëse opozita është për rrëzimin e Qeverisë, ai do të ndihmojë këtë proces me votat e Vetëvendosjes. Thirrjes së tij është i gatshëm t’i përgjigjet edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ai në një intervistë për Front Online ka thënë se do të votoj pro rrëzimit të qeverisë.

“Unë do të votoja mocionin për rënien e Qeverisë Kurti”, tha Pacolli për Front Online.

 

Pacolli për qeverisjen e Kurtit: Ka dështuar, të fokusohet në përmirësimin e standardit jetësor

Për qeverisjen e Kurtit ka folur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli. Pacolli, për Front Online ka thënë se kjo qeveri ka dështuar si në përmbushjen e premtimit patriotik e edhe në atë ekonomik.

“Mungesa e vizionit, eksperiencës dhe strategjisë e ka bërë atë të dobët, duke u fokusuar kryesisht në qeveri te pakuptimtë. Pjesëtarët e kësaj qeverie kanë marrë rrogat e tyre pa bërë ndonjë përparim në ngritjen ekonomike ose standardin jetësor. Madje, projektet e filluara më parë kanë mbetur në vend, ndërsa mungesa e kreativitetit dhe përkujdesjes për qytetarin, mirëqenien ekonomike dhe ambientin është shfaqur qartë në paaftësinë e saj”, ka thënë Pacolli për Front Online.

Pacolli, ka folur edhe për siç ka thënë ai ndërhyrjet e panevojshme të qeverisë në ekonomi, qoftë në atë private apo edhe publike.

“Ideologjia intervenuese e zotit Kurti i ka sjellë ndërmarrjet publike në një gjendje të mjerueshme. Sa i përket kreativitetit, kjo qeveri nuk ka asnjë kreativitet as ndjenja e as vullnet për ngritjen e imazhit të vendit. Punët e mira bëhen nga detajet e vogla! Shikoni ne çfarë gjendje janë rrugët tona, në çfarë gjendje është ambienti ynë, çdo gjë shkatërrohet përreth nesh e nga kjo  qeveri nuk ka asnjë veprim për të parandaluar këtë… pra mungesë totale të interesit për pune dhe prosperitet”, është shprehur ndër të tjera ai.

 

Pacolli: Këmbënguljet e Kurtit çuan në tensione me partnerët tonë

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka hedhur kritika të shumta ndaj kryeministrit Albin Kurti kur bëhet fjalë për partnerët e Kosovës.  Ai, për Front Online ka deklaruar se këmbënguljet e shumta të Kurtit kanë çuar deri në tensione me miqtë e vendit.

“Sa i përket ideologjisë patriotike, zoti Kurti mbetet i njohur për  këmbënguljet të shumta që kanë çuar në tensione me partnerët tradicionalë. Është vlerësuar se mungesa e marrëdhënieve të mira me miqtë e Kosovës mund të rrezikojë stabilitetin e shtetit”, ka thënë Pacolli për Front Online.

Sipas Pacollit, qeveria duhet të shmangë ndërhyrjet e panevojshme dhe të fokusohet në përmirësimin e standardit jetësor.

“Kështu, është vlerësuar se qeverisja duhet të fokusohet në përmirësimin e standardit jetësor dhe sigurisë së qytetarëve, duke mbështetur marrëdhëniet e mira me miqtë dhe duke shmangur ndërhyrjet e panevojshme në ekonominë private”, është shprehur Pacolli.

Ndryshe, sot tri vjet u votua Qeveria “Kurti 2”, më 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim/Front Online

 

Komento: