Kreu i AKR-së dhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj kreut të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja sa i përket një qëndrimi të këtij të fundit për mënyrën se si Kosova i ka marrë disa njohje dhe përmendjen e korrupsionit si mjet.
Pacolli e ka quajtur pamflet shkrimin e Krajës dhe ka thënë se përmes atij shkrimi Kraja është bërë zëdhënës i denjë i propagandës serbe.
Ish-kryediplomati kosovar ka thënë se qëndrimi i Krajës për “njohjen e ardhura përmes formave korruptive” është qëndrim identik me atë të Serbisë dhe ka kërkuar që Kraja të tërhiqet nga qëndrimet “skandaloze dhe anti-shqiptare”.
Reagimi i plotë:
Zoti Kraja, unë jam një person që kam kaluar gjithë jetën time duke u përpjekur të ndihmoj të tjerët, por nëse dikush mendon ndryshe, një është e sigurt, që nuk kam lënduar, fyer apo ofenduar njeri. Kjo është kultura ime e trashëguar.
Duke lexuar atë pamflet që ju e publikuat, u habita jashtëzakonisht se si një person që pretendon se e do vendin e vet, përmes një pamfleti politik dhe propagandistik bëhet zëdhënësi më i denjë i propagandës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Ju si kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, pa asnjë fakt, pa asnjë argument, bën copy-paste një qëndrim të Beogradit dhe shpall se njohjet e Kosovës kanë ardhur përmes formave korruptive.
Ju zotni Kraja, nëse keni ndjenja dashurie për Kosovën e lirë, duheni të tërhiqeni nga qëndrimet skandaloze anti-shqiptare që keni shkruar në pamfletin e juaj politik.
Mbi të gjitha shkrimi i juaj lë hapsirë për të dyshuar se ju keni njohuri apo kani lobuar ndonjëherë për interesat e Kosovës.
Po shihet qartë se ju jeni profesionist në shqiptimin e qëndrimeve të shteteve që sfidojnë dhe luftojnë shtetësinë e Kosovës.
“Studimi juaj”, Zotni Kraja, lë shumë pytje hapur sepse nuk përputhet me realitetin. Është për t’u mërzitur sepse ju flisni pikërisht me narrativën e Beogradit dhe zyrtarëve shtetërorë atje. Njohjet e Kosovës që kanë ardhur bazohen në lobim të mirëfilltë dhe të mirëkoordinuar me partnerët ton duke paraqitur të vërtetën dhe të drejtën tonë si shtet.
Prandaj kur thoni se “njohjet qe kanë ardhur me menyra korruptive ato janë terhjekur nga Serbia” Ju zotni Kraja, mos të them se po genjeni, ju po i shtrembëroni gjërat.
Në këtë situatë, ju si njeri që e konsideroni veten si njeri serioz duheni ose të sjellni qoftë edhe një fakt korruptiv, siç e quani ju ose publikisht të kërkoni falje për gënjeshtrat e juaja.
Ju mundeni ta shfajësoni Serbinë me deklaratat e juaja. Në fakt, ju bëheni zëdhënësi më i mirë i tyre në hapësirën shqiptare.
Nuk kam dëgjuar Kryetarin e Akademisë sonë, një institucion që paguhet nga buxheti i Kosovës, të reagojë kur u dëshmua nga ambasadorët perëndimorë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, apo kur mediat në mbarë botën shkruanin për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, përfshirë raportet e Amnesty International për dërgimin e armëve në Afrikë.
Nuk kam dëgjuar që ju u keni shkruar homologëve të juaj për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, as nuk keni marrë mundimin të shkruani në mediat ndërkombëtare.
Kjo flet shumë për ju si personalitet. Është e turpshme që kemi personazhe publikë që përpiqen të amnistojnë të kaluarën e tyre të errët me sulme ndaj lëvizjeve që kanë sjellë pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.
Njerëz si ju zotni Kryetar i Akademisë, kanë qenë në anën e gabuar të historisë. Ata mbeten të tillë edhe sot fatkeqsisht. E turpshme!