Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar për dy njohje të reja ndaj Kosovës.
Pacolli tha se, javën e kaluar, ka qenë në takime të rëndësishme te këto dy shtete, të cilave nuk ua përmendi emrin, por tha se janë afër ta njohin Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Normalisht. Shembull, a e dini çfarë kam bërë javën e kaluar. Nuk kam nevojë ta prezantojë sepse ashtu janë rrethanat. Kam qenë atje. Po ju tregoj se dy shtete të mëdha janë afër [njohjes së Kosovës]”, tha ai në ATV.
Sipas Pacollit, arsyeja pse nuk ka njoftuar lidhur me këto njohje është sepse ekziston një marrëveshje e heshtur me Serbinë që të mos punohet për njohje të reja.
“Është një marrëveshje e heshtur edhe me Serbinë që të mos punohet në njohje të reja dhe të mos ketë fushatë për çnjohje. Unë kam zhvilluar hapësirën time të operimit dhe nuk do të ndalem. Nuk e kam bërë unë atë marrëveshje. Nuk do të kisha dashur që nesër të përfolem”, shtoi Pacolli.