Behgjet Pacolli: Rikthimi i Trumpit nuk do të jetë aspak i këndshëm për shumë politikanë ballkanas

08:08 | 22 January 2025
behgjet-pacolli:-rikthimi-i-trumpit-nuk-do-te-jete-aspak-i-kendshem-per-shume-politikane-ballkanas

Të hënën është bërë inaugurimi i Presidentit të 47-të të këtij të SHBA-ve, Donald Trump. Mesin e qindra të ftuarve në këtë inaugurim, kishte edhe politikanë nga Kosova, por në këtë ditë të shënuar, munguan udhëheqësit e vendit, presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca e Kryeministri Albin Kurti.

E para e vendit u justifikua se ka pasur ftesë për të marr pjesë në inaugurim, por se e ka dërguar një ekip në këtë ngjarje, derisa Kurti e Konjufca nuk kishin ftesa për këtë ngjarje.

Ftesë për inaugurim ka marrë edhe ish-shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli.

Për të rikthimi i Trumpit në krye të SHBA-së, nuk do të jetë aspak i këndshëm për shumë liderë ballkanik.

 

Pacolli: Ardhja e Trumpit do t’i jap fund hipokrizisë politike në Ballkan

Ish-shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, në një prononcim për FrontOnline, ka bërë kritika të ashpra për politikanët ballkanas dhe retorikën, siç ka thënë ai, pseudopatriotike që ata përdorin për të manipuluar qytetarët dhe për të mbajtur pushtetin.

Ai ka theksuar se rikthimi i Donald Trumpit mund të ndihmojë në ekspozimin e gënjeshtrave të politikanëve, duke i detyruar ata të dalin nga “zona e tyre e rehatshme” dhe sipas tij, këta politikanë janë të frikësuar nga humbja e pozicioneve të tyre dhe përdorin nacionalizmin si një mjet për të kontrolluar dhe përçarë shoqërinë.

‘’Në të vërtetë, rikthimi i Trumpit nuk do të jetë aspak i këndshëm për shumë politikanë ballkanas, të cilët prej vitesh kanë bërë politikë mbi retorikën e lodhur pseudopatriotike, duke e kthyer atë në një mjet manipulimi për të mbajtur pushtetin. Këta politikanë, të zhveshur nga çdo formë kreativiteti dhe vizioni, të frikësuar nga humbja e pozicioneve të tyre, fshihen pas tavolinave të luksit, të mbushur me hidhërim e urrejtje, të cilën mezi presin ta derdhin mbi qytetarët. Ata përdorin nacionalizmin si një narrativë të rrezikshme për të përçarë dhe kontrolluar shoqërinë, një lojë e vjetër që ka helmuar të gjithë Ballkanin. Por ardhja e Donald Trumpit mund t’i japë fund kësaj hipokrizie politike’’ thotë Pacolli për FrontOnline.

 

Pacolli shpreh zhgënjimin se qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të rrezikshme vetëm me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e popullsisë për përfitime personale.

‘’Ai do t’i ekspozojë gënjeshtrat e tyre dhe do të detyrojë shumë liderë të dalin nga zona e tyre e rehatshme. Jam thellësisht i zhgënjyer që qytetarët në Ballkan e kuptojnë këtë lojë të ndyrë me vonesë, ndërsa politikanët vazhdojnë të shfrytëzojnë injorancën dhe emocionet e tyre për përfitime personale’’ potencon ai.

 

Pacolli: Qytetarët të mos bien pre e premtimeve boshe dhe bërtimave nepër salla

Ish-diplomati kosovar, shpreson se qytetarët do të vetëdijesohen dhe nuk do të bien më pre e premtimeve boshe në fushatë. Sipas tij, vetëm një shoqëri e zgjuar dhe e bashkuar mund t’i japë fund këtij cikli të manipulimit dhe të krijojë një të ardhme më të drejtë për të gjithë.

‘’Megjithatë, shpresa mbetet. Mbetet që qytetarët të vetëdijesohen sa më shpejt dhe të mos bien më pre e premtimeve boshe dhe fjalimeve boshe, bërtimave neper salla të pa para më parë të atyre që pretendojnë të jenë udhëheqësit e së ardhmes’’ shtoi ai për FrontOnline.

Në lidhje me raportet e Qeverisë Kurti me administratën e Trump, Pacolli ka theksuar nevojën për një udhëheqje që vepron në interes të qytetarëve, pa përdorur nacionalizmin për të arritur qëllime personale.

‘’ Vetëm një shoqëri e zgjuar dhe e bashkuar mund t’i japë fund këtij cikli të manipulimit dhe të ndërtojë një të ardhme më të drejtë dhe më të ndershme për të gjithë’’ deklaroi ai.

 

Komento: