
Komisioni Evropian ka paraqitur një plan për të hequr ndalimin efektiv të shitjes së veturave të reja me motorë me djegie nga viti 2035, pas presionit të industrisë automobilistike evropiane. Vendimi, që ende duhet të miratohet nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian, shënon tërheqjen më të madhe të BE-së nga politikat e saj të gjelbra vitet e fundit.
Sipas propozimit, do të lejohet vazhdimi i shitjes së disa mjeteve jo plotësisht elektrike, përfshirë hibridet plug-in dhe modelet me “range extender”. Objektivi do të ndryshojë në ulje prej 90% të emetimeve të CO₂ deri më 2035, në vend të kërkesës aktuale për zero emetime për të gjitha veturat dhe furgonët e rinj, raporton Reuters.
Prodhuesit do të duhet të kompensojnë emetimet e mbetura përmes përdorimit të çelikut me karbon të ulët të prodhuar në BE dhe karburanteve sintetike apo bio-karburanteve. Afatet për uljen e emetimeve deri më 2030 gjithashtu do të zbuten.