Bekë Berisha: Sulmi në Banjskë i planifikuar, i përfshirë edhe presidenti Vuçiq

08:23 | 29 Shtator 2023
beke-berisha:-sulmi-ne-banjske-i-planifikuar,-i-perfshire-edhe-presidenti-vuciq

Një grup kriminal serb të dielën në Banjskë vrau rreshterin Afrim Bunjakun.

Kjo, pas një përleshje të armatosur mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur terrorist serb.

E, nga grupi kriminal serb, mbetën të vrarë tre prej tyre.

Ky sulm ndaj Policisë së Kosovës po vlerësohet si mirë i planifikuar.

Madje, po thuhet që në krye të tij qëndron presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Akt terrorist sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës po e quan deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

“Të hënën e kemi në Komision shefin e AKI-së, që të informohem. Kam informacione të ndryshme, mirëpo nuk i kemi zyrtare, pos atyre që i kemi parë në televizion….Kjo situatë është shumë e ndjeshme, duhet të kemi shumë kujdes se qysh e klasifikojmë dhe çka bëjmë, qysh e kualifikojmë këtë akt. Po është e vërtetë, është akt terrorist mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Berisha për Front Online.

Sipas tij, organizimi nga grupi kriminal serb ka qenë i planifikuat prej institucioneve të sigurisë së Serbisë.

“Me siguri se ky është i planifikuar prej institucioneve të sigurisë së Serbisë, është i përfshirë edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe çka është e vërteta ai nuk po e fsheh këtë. Po del me deklarata, pos rrenave që po i flet bashkë me Daçiqin del që për neve është një akt terrorist, plotësohen kushtet që të quhet i tillë. Ne si Aleancë bashkë me rezolutën kemi ndikuar që përmes rezolutës një hetim ndërkombëtar i cili do të certifikonte ato dëshmi edhe të klasifikonte një palë e tretë sepse aty kanë qenë të përfshirë edhe KFOR-i, e ka përcjell situatën edhe EULEX-i dhe ka pas drona të shërbimeve të ndryshme këto dihen”, ka shtuar Berisha.

 

Deputeti Berisha: Ka pasur grupe që janë stërvitur në Rashkë, Vuçiqi i ka vizituar

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha për Front Online ka thënë se kanë pasur më herët informata që ka grupe që po stërviten në Rashkë, dhe se këto grupe i ka vizituar presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ne kemi pas informacione muaj më parë nga intelegjenca jonë sepse ka grupe që po stërviten në Rashkë dhe në vende të tjera, pastaj ato grupe kanë ardh në Kopaonik, pastaj kanë depërtuar me gjithë atë armatim. Kemi informacione të sakta të cilat edhe u argumentuan edhe dolën të vërteta. Bazën stërvitore në Rashkë e ka vizituar presidenti Vuçiq dhe për këtë duhet të bëhet hetim ndërkombëtar sepse ato baza kanë ekzistuar”, ka deklaruar ai.

Berisha, thotë se për rastin që ka ndodhur në veri duhet të ketë gjykim ndërkombëtar.

“Kanë qenë si paralajmërime të institucioneve të sigurisë, të presidentit Vuçiq, të lëvizjes së ushtrisë së Serbisë tri ditë përpara, këto janë të vërteta, janë fakte dhe për atë duhet që të certifikohen me një hetim ndërkombëtar, pastaj pason me një gjykatë ndërkombëtare, pastaj do të kemi një certifikim edhe një të vërtetë, ne mundemi me i tregu video, mundemi me i tregu njëri-tjetrit , mirëpo këto duhet me u certifiku, duhet me u bë një gjykim ndërkombëtar për këtë që ka ndodhë”, ka shtuar Berisha.

 

 

 

A duhet të shpallet Lista Serbe organizatë terroriste? Tregon deputeti Berisha

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, kur është pyetur nga Front Online se a duhet Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste , ka thënë se nuk mund ta thotë këtë pasi që janë pal në Kuvend.

Por, thotë se nuk ka asnjë dilem që edhe këta janë të përfshirë.

“Mbas një hetimi, të organeve të drejtësisë edhe një gjykatë nëse plotësohen kushtet edhe ata e shohin sepse ka material jashtëzakonisht shumë unë nuk kam asnjë dilem, mirëpo për të depërtuar në opinionin ndërkombëtar me u pa çka ka ndodhë duhet me u bë një gjykatë, ka material të mjaftueshëm që edhe Lista Serbe pasi që ai është nënkryetar, por edhe aktiviteti i tyre, dhe kur një gjykatë e jep një verdikt për neve është në rregull. Por, për neve nuk është në rregull sepse jemi pal, për armiqtë tonë, ne normalisht se sot do t’i shpallnim terrorist, por është mirë me shpallë dikush tjetër, do të thotë një palë e tretë”, ka thënë Berisha.

 

 

Berisha: Armatimi i grupit kriminal erdhi nga Serbia

Policia e Kosovës, pas përfundimit të aksionit në Banjskë pas sulmit që ndodhi atje nga një grup terroristësh arrit të konfiskoj arsenal armësh.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla deklaroi se gjithë ai armatim kap vlerën e rreth 5 milionë eurove.

E, deputeti Bekë Berisha për Front Online, thotë se armatimi ka ardhë nga Serbia, duke shtuar se vlera e tij nuk e kap atë shifër.

“Nga erdhi, erdhi nga Serbia. Tash entuziazmi i ministrit Sveçla se me kthy atë armatim se sa kushton edhe nuk e di se sa kushton ai, mirëpo kushton shumë më lirë sepse nëse ka dal prej depove të ushtrisë së Serbisë dhe e implikon direkt ushtrinë dhe institucionet e sigurisë pastaj nuk ka rëndësi sepse u marr pa pare, por qëllimi ka qenë dhe këtu involvohet ushtria në aktivitete terroriste në Kosovë”, ka deklaruar ai.

 

Berisha: Ka paralajmërime që raste si në Banjskë mund të përsëriten

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë për Front Online se rastet e tilla si në Banjskë mund të përsëriten.

Madje, ka edhe paralajmërime të tilla.

“Këto mund të përsëriten, ka paralajmërime që do të përsëriten, policia e Kosovës duhet të jetë shumë e vëmendshme, mbështetja e policisë prej Qeverisë për ato që i kemi potencuar gjithherë, për rrezikshmëri, për sigurimin jetësorë, për pajisje, për sigurime shëndetësore dhe për pagat duhet të jetë i menjëhershëm”, ka thënë Berisha.

 

Bekë Berisha: Policia na ka zbardhë fytyrën, nëse Qeveria ka pak patriotizëm t’i plotësoj nevojat e tyre

Deputeti Bekë Berisha ka thënë se Policia e Kosovës me atë që ka treguar të dielën meriton më shumë që të bëhet për ta, e jo të ndodhë e njëjta sikurse ka ndodhur deri më tani kur gomat i kanë ndërruar vet.

“Kjo Njësi e ka kryer punën e vet e na e ka zbardh fytyrën, nuk lihen tani këta me i pagu bateritë e veturave vet, ose me i ndërru gomat vet qysh është duke ndodhur deri më tani. Këtu duhet Qeveria menjëherë nëse ka ndonjë grimcë patriotzëm sikur kanë Policia e Kosovës e i kanë të gjitha këto mungesa, atëherë duhet me vepru menjëherë”, ka shtuar ai.

Berisha, ka folur edhe për atë se a duhet të jenë të bashkuar në raste të tilla pozitë e opozitë.

Sipas tij, të gjithë në raste të tilla duhet të jenë në mbështetje të strukturave të ligjit dhe të rendit në Kosovë.

Por, se shton se kjo duhet të bëhet me shpirt e jo me maska.

“Ne jemi në politikë, disa njerëz po mendojnë se munden me u sha gjithë ditën, por ra qiky mort tash ne jemi bashkë edhe ja bëjnë këta mirë njëri tjetrit, a ne gjithmonë e themi të vërtetën, si në dasëm, si në vdekje të vërtetën e kemi të parën”, ka shtuar ndër të tjera Berisha./Front Online

 

Komento: