Çollaku: Kurti i kënaqi militantët për targat, dëmtoi raportet me SHBA-në.
Bekim Çollaku, ish-këshilltar i Hashim Thaçit gjatë kohës sa ishte president, ka thënë se vendimi i Qeverisë për targat është “për t’i kënaqur militantët”.
Por sipas tij, kjo qasje e Qeverisë Kurti është duke i prishur raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare.
“Deklaratat që kanë ardhë nga Departamenti i Shtetit janë shumë të qarta”, ka thënë Çollaku duke iu referuar deklaratës së SHBA’ve që janë të zhgënyer me Qeverinë Kurti për mos shtyrjen e vendimit për targat për 10 muaj.
Më tutje, Çollaku në Pressing ka thënë se aryseja pse nuk është zbatuar deri më tash marrëveshja e Brukselit për targat është që të mos krijohen tensione e të ruhen raportet me aleatat.
Po ashtu ai ka thënë se nuk është e lehtë që një vendim i tillë të zbatohet në një komunitet që për 20 vjet ka qenë i dirigjuar nga Qeveria e Serbisë.
Qeveria e Albin Kurtit ka vendosur që vendimin për targat ta zbatojë gradualisht dhe nga 21 prilli fillon faza e fundit ku në rast se targat nuk konvertohen në RKS atëherë vetura do të konfiskohet.