Bekim Haxhiu kërkon hetime edhe për veprimet në QNR e KQZ rreth votave me postë

14:26 | 24 Janar 2026
bekim-haxhiu-kerkon-hetime-edhe-per-veprimet-ne-qnr-e-kqz-rreth-votave-me-poste

Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që votat me postë duhet t’i nënshtrohen ekspertizës forenzike grafologjike.

Sipas tij, vetëm një hetim i tillë mund të zbulojë ekzistencën e një skeme të gjerë kriminale në procesin e votimit jashtë vendit.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook e ka përshëndetur aksionin e djeshëm të Prokurorisë së Prizrenit ndaj manipuluesve të votave, duke kërkuar që edhe Kryeprokurori i Kosovës duhet të veprojnë me të njëjtin standard ligjor.

Postimi i tij i plotë:

Veprimi i Kryeprokurorit të Prizrenit, z. Petrit Kryeziu, meriton vlerësim publik për përgjegjësinë institucionale të treguar në zbatimin e ligjit kundër manipuluesve të votës.

Zbatimi i barabartë i ligjit duhet të shtrihet në të gjithë procesin zgjedhor, përfshirë edhe veprimet në QNR dhe KQZ, ku janë administruar vota me postë të pranuara jashtë afatit ligjor, për të cilat ekzistojnë dyshime të bazuara për manipulim.

Prokuroria, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore, ka obligim të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim të votës, përfshirë votat në QKN, QNR, si dhe votat e ardhura me postë, të cilat janë pranuar, administruar dhe përfshirë në rezultatin zgjedhor në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këto veprime përbëjnë shkelje serioze të integritetit të procesit zgjedhor.

Për këtë arsye, votat me postë duhet t’i nënshtrohen ekspertizës forenzike grafologjike, si pjesë e një hetimi të pavarur, profesional dhe të paanshëm. Një hetim i tillë mund të zbulojë ekzistencën e një skeme të gjerë kriminale në procesin e votimit jashtë vendit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Kryeprokurori i Kosovës duhet të veprojnë me të njëjtin standard ligjor, në mënyrë që asnjë votë e manipuluar apo e pranuar jashtë afatit ligjor të mos përfshihet në rezultatin përfundimtar zgjedhor.

Vetëm një proces gjithëpërfshirës i zbatimit të ligjit dhe verifikimit të çdo vote mund të rikthejë besimin minimal në një proces zgjedhor tashmë të komprometuar në tërësinë e tij.

Ligji është i barabartë për të gjithë.

Askush nuk është mbi ligjin.

Komento: