Haxhiu: Disa deputetë të pozitës janë pro tërheqjes nga Trusti.
Kanë mbetur edhe tri javë deri në përgjigjen e ekzekutivit për lejimin ose jo të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Sigurimeve Pensionale.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, që është edhe iniciues i kësaj nisme, thotë se Qeveria duhet që të marrë vendim pro tërheqjes.
Tutje, ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se ka disa reagime të deputetëve të mazhorancës të cilët janë deklaruar pro tërheqjes.
“Javën e kaluar me datën 22 shtator është proceduar në Qeveri. Qeveria ka 30 ditë kohë të japë mendimin e saj për këtë projektligj sepse është e njohur me problematikën dhe me faktin që Trusti ka humbur 1 milion euro për 7 muaj”.
“Ne kemi pare disa reagime të deputetëve të mazhorancës që janë deklaruar pro tërheqjes së trustit sepse qytetarët është më mirë të marrin disa nga mbetjet e tyre nga kursimet e tyre. Po shpresojmë që pas iniciativës së qytetarëve tani më të zhveshën nga petku politik deputetët e mazhorancës dhe të votojnë pro interesave të qytetarëve për Trustin”.
Haxhiu, mes tjerash, tha se do të jetë zhgënjim i madh nëse mazhoranca nuk e voton Trust-in.
“Do të jetë zhgënjim i madh për qytetarët dhe do të jetë humbje e madhe e mjeteve të Trustit. Është absurde se si të lejohet humbja e Trustit në tregjet ndërkombëtare”, tha Haxhiu.