Bekim Haxhiu tregon ku ka mbetur procedura për tërheqjen e 30 për qind të Trustit

14:42 | 01 November 2022

Tërheqja e 30 për qind të Trustit, Haxhiu tregon ku ka mbetur procedura.

Projektligji për Trustin nga e enjtja e kaluar është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kështu tha ligjvënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka treguar edhe procedurat deri në seancën e votimit.

“Të enjten projektligji iu është shpërndarë deputetëve. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere duhet ta trajtojë atë. Komisioni e ka për obligim që brenda dy javësh ta trajtojë dhe pastaj dy deri në katër javë sipas rregullores duhet të vijë në seancë për votim”, ka thënë deputeti Haxhiu.

Por, ende nuk dihet se kur do të shkojë ky projektligj për votim.

Ky projektligj, së paku me aq sa dihet deri më tani, nuk e ka marrë ende mendimin e Qeverisë së Kosovës, afati për të cilën procedurë ka kaluar më 21 tetor.

Për lejimin e tërheqjes së 30 përqindëshit të Trustit, organizatorët e peticionit kanë paralajmëruar protesta më 5 nëntor.

Herën e parë, në muajin qershor të këtij viti, Projektligji që synonte t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve të tyre të grumbulluara në Fondin Pensional.

Kjo ishte kundërshtuar nga ana e Qeverisë por edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo një tërheqje e mjeteve nga “Trusti” ishte miratuar nga qeveria Hoti në vitin 2020. Gjithsej 427 mijë e 371 qytetarë të Kosovës bënë tërheqje të shumave të ndryshme nga Fondi i Kursimeve Pensionale./EO

Komento: