Bekim Jashari paralajmëroi krijimin e një parite të re, tani la këtë çështje në heshtje

17:27 | 24 April 2019

Kryetari i Skënderajit, Bekim Jashari pati paralajmëruar krijimin e një partie të re.

Partia e re ishte paralajmëruar se do të formohej në bastionin kryesor të PDK-së, Skënderaj.

Iniciator i kësaj nisme ishte raportuar të jetë pikërisht kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Ndonëse kanë kaluar pesë muaj që prej se Jashari e kishte paralajmëruar formimin e partisë së re, kjo çështje është vënë në heshtje.

Madje, partisë së Jasharit ishte raportuar se do t’i bashkoheshin shumë figura të PDK-së në Drenicë, përfshirë nënkryetarin e komunës, Nuredin Lushtaku.

Pikërisht për këtë çështje ka folur nënkryetari e Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili tha se nuk ka informacione për një gjë të tillë.
Ai la të kuptohet se nuk është në plan formimi i një partie të re.

“Nuk ka diçka të re në këtë aspekt. Nuk është diçka në plan për këtë çështje, posa të ketë ne do të iu informojmë”, ka thënë shkurt Lushtaku.

Mirëpo, ishte vetë Lushtaku i cili në një prononcim aso kohe kishte thënë se në rast se Jashari formon parti të re, ai do t’i bashkohej.

E lajmi mëson nga burimet e veta se Jashari nuk e ka në plan të formojë parti të re.

Megjithëse arsyet nuk dihen, Jashari siç duket ka hequr dorë nga ideja që vetë e kishte shfaqur në opinion.

Në tentim për të marrë një përgjigje edhe nga vetë Bekim Jashari, mirëpo ky i fundit nuk është përgjigjur.

Jashari erdhi në krye të komunës së Skenderajt në fund të vitit 2017. Përballë në procesin zgjedhor ai nuk e kishte PDK-në, rivalin kryesor për qeverisje në këtë komunë.

Megjithatë, kësaj here pritet që edhe PDK-ja të ketë kandidat për të parin e Skenderajt.

Para disa ditësh në krye të degës së PDK-së atje u zgjodh Sami Lushtaku, ish-kryetar i komunës. Ai kishte udhëhequr për disa mandate këtë komunë, teksa pritet që të rikandidojë edhe një herë për kryetar.

Komento: