Belgjika shqyrton burgje në Kosovë dhe Shqipëri për migrantët e parregullt

19:56 | 08 Janar 2026
Belgjika shqyrton burgje në Kosovë dhe Shqipëri për migrantët e parregullt

Ministrja e Migracionit e Belgjikës, Anneleen Van Bossuyt, ka bërë të ditur se qeveria belge po shqyrton “çdo zgjidhje të mundshme” për të rritur kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe ndërtimin ose marrjen me qira të hapësirave të burgimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Në një intervistë për Euronews, Van Bossuyt konfirmoi se gjatë vizitave në Shqipëri dhe Kosovë janë zhvilluar bisedime konkrete me autoritetet përkatëse.

“Ne po shikojmë çdo zgjidhje të mundshme për të rritur shkallën e kthimeve. Kjo është një nga mundësitë që po e shqyrtojmë së bashku me ministrinë e drejtësisë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, bisedimet me Shqipërinë synojnë strehimin e shtetasve shqiptarë që aktualisht ndodhen në burgjet belge. Ndërsa për Kosovën, ministrja tha se qeveria e saj po shqyrton mundësinë e strehimit të personave që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë dhe ndodhen në burgje, pavarësisht kombësisë së tyre.

“Në Kosovë, ne po shikojmë mundësinë për të strehuar njerëz që qëndrojnë ilegalisht në Belgjikë, por që ndodhen në burgjet tona”, deklaroi Van Bossuyt.

Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor po shihet si një hapësirë për zgjidhje “inovative” në fushën e migracionit dhe se Belgjika mbetet e hapur edhe për partneritete të tjera. “Ne kemi qenë në Shqipëri dhe Kosovë, kemi folur me ministrat përgjegjës, por ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe mundësi apo vende të tjera”, tha ministrja belge.

Komento: