Karim Benzema raportohet se mund t’i bashkohet Kombëtares së Francës në Kupën e Botës në Katar, sipas “RMC Sport”.
Këto raportime vijnë pasi nga shtypi spanjoll u raportua se sulmuesi i Real Madridit tashmë është rikuperuar nga lëndimi, transmeton Express.
Benzema u detyrua të tërhiqej nga grumbullimi me “Gjelat”, ende pa zhvilluar Franca ndeshjen e parë në këtë turne.
Megjithatë, fituesi i “Topit të Artë” duket se është rikuperuar më shpejt nga sa mendohej. Sipas mediave të shumta spanjolle, 34-vjeçari mund të rikthehet në stërvitje këtë mesjavë.
Kësisoj, ëndrra e Benzemas për t’u paraqitur në Kupën e Botës mund të jetë ende e realizueshme.
Sipas rregullave të FIFA-s, ish-sulmuesi i Lyonit mund të rikthehet në skuadrën e Francës dhe të luajë në pjesën e mbetur të turneut pasi ai u përfshi në skuadrën fillestare.
Emri i tij figuron ende në listën e të ftuarve nga Didier Deschamps, pasi përzgjedhësi francez nuk e zëvendësoi Benzeman me ndonjë futbollist tjetër.