Beqa: Kryeministri Kurti po manipulon me letërën e Thaçit për të mbuluar dështimet e tyre

20:08 | 03 December 2024
beqa:-kryeministri-kurti-po-manipulon-me-leteren-e-thacit-per-te-mbuluar-deshtimet-e-tyre

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka reaguar  ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe pushtetarëve të tjerë për përdorimin e një letre të ish-kryeministrit Hashim Thaçi drejtuar NATO-s në vitin 2013, për të justifikuar dështimet e tyre, sidomos në lidhje me sulmet terroriste në veri të Kosovës.

Beqa ka theksuar se kjo letër nuk është asnjë vendim, siç po e paraqesin pushtetarët aktualë, dhe ka ftuar që ajo të lexohet dhe interpretohet në mënyrë të drejtë.

Ai ka theksuar se letra e Hashim Thaçit flet qartë për bashkëveprimin e FSK-së me KFOR-in në veri, duke e përjashtuar çdo mundësi të veprimit të njëanshëm të FSK-së pa koordinim me misionin e NATO-s.

“Letra nuk ka të bëjë me ndalim të asaj që po flasin tani, por vetëm me bashkëveprim. Boll më me spekulime dhe mashtrime! Ju ka ardhur fundi!” ka thënë Beqa, duke nënvizuar se pushtetarët duhet të përballen me dështimet e tyre dhe të ndalin manipulimet me informacione të pasakta.

Deputeti i PDK-së ka publikuar edhe tekstin e plotë të letrës, ku thotë: “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in”.

Beqa ka theksuar se ky mesazh është i qartë dhe nuk lejon interpretime të pasakta.

 

Postimi i tij:

Kryeministri Albin Kurti dhe të gjithë pushtetarët, për t’i mbuluar dështimet e veta , e sidomos dështimet për t’i parandaluar sulmet terroriste në Veri, po e përfolin dhe përdorin “Letrën e Kryeministrit Hashim Thaçi drejtuar NATO-s në vitin 2013” e që qëllimshëm po e quajnë vendim.

Së paku, t’a lexojnë e interpretojnë drejtë se çka thuhet në atë letër për misionin e FSK-së në Veri, edhe pse FSK atë botë nuk e kishte misionin që e ka sot.

Po e publikoj letrën në tërësi, ku fjalë për fjalë thuhet: “Në emer tê Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in”.
Lexoni mirë, ka të bëjë me bashkëveprim e me asnjë ndalim!

Boll ma me spekulime, etiketime e mashtrime, ju ka ardhë fundi!

 

Komento: