Berat Xhimshiti vendimtar në fitoren Atalantas kundër Olympiacosit

23:13 | 17 Shkurt 2022

Xhimshiti ia dhuron fitoren Atalantas kundër Olympiacosit.

Berat Xhimshiti ka treguar personalitetin e tij në fushë sonte kundër grekëve të Olympiacosit. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare shënoi dy gola për tre minuta duke përmbysur Olympiacosin të cilët ishin në avantazh me golin e Soares (16) në pjesën e parë

Dy golat e Berat Xhimshitit i kanë dhënë Atalantas sonte fitore në Bergamo kundër Olympiacosit.

Mbrojtësi i Kombëtares shfrytëzoi dy ndërprerje për t’i shënuar golat e tij, njërin me kokë dhe tjetrin me këmbën e tij të djathtë.

Muriel i Atalantas rrezikoi portën e mysafire në minutën e tetë të ndeshjes por goditja e tij përfundoi afër shtyllës së majtë të portës së Olympiacosit.

Olympiacos do të shënonte gol në minutën e 16.

Georgios Masouras e gjeti mirë Tiquinho Soares i cili nga zona godet fuqishëm për të shënuar në qoshe të djathtë të portës së Atalantas.

Muriel përsëri rrezikoi portën e grekëve në minutën e 26 por Vaclek, portier i Olympiacosit pati reflekset e duhura për ta pritur goditjen e tij.

Pessina u mendua që e barazoi rezultatin për një moment pasi që shënoi gol, por VAR e anuloi atë pasi që ai ishte në pozitë jashtë loje.

Minuta e 50 ishte minuta e tjetër kur Atalanta rrezikoi portën e Olympiacosit me Bogan i cili goditi fuqishëm por prapë në vend ishte portieri Tomas Vaclik.

Vaclik përsëri do të ishte protagonist pasi që priti një super goditje të Ruslan Malinovskit në minutën e 54-të të ndeshjes.

Dy golat e Xhimshitit do të vinin në minutën e 61-të dhe 63.

Teun Koopmeiners bëri një krosim të mahnitshëm nga goditja nga këndi e ku Berat Xhimshiti lirohet për të shënuar një gol të bukur me kokë.

Goli tjetër i Xhimshitit do të vinte dy minuta më vonë. Edhe ky erdhi pas një ndërprerje ku pas një rikthimi të topit Xhimshiti ishte në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të shënuar golin e dytë personal në këtë ndeshje.

Pas këtij goli Atalanta filloi të jetë më e kujdesshme derisa dilte shpejt në kundërsulme.

Pavarësisht kësaj fitoreje, Atalanta duhet të jetë e kujdesshme pasi që do të luajë kundër Olympiacosit në Greqi javën e ardhshme, nga ku mund ta preje një biletë për 1/8 e finales së Europa Ligës.

Komento: