Berisha e akuzoi për arratisje, lajmërohet Veliaj: Jam me punë në ShBA, s’iki nga drejtësia

00:08 | 29 December 2024
berisha-e-akuzoi-per-arratisje,-lajmerohet-veliaj:-jam-me-pune-ne-shba,-s’iki-nga-drejtesia

Erion Veliaj i është përgjigjur përmes një postimi të gjatë në Facebook, kryedemokratit Sali Berisha, i cili nga selia blu deklaroi pak orë më parë se kryebashkiaku i Tiranës është arratisur në drejtim të paditur.

Berisha deklaroi se thashethemet tregojnë se destinacioni i Veliajt pretendohej të ishte ShBA-ja dhe kryebashkiaku e konfirmon këtë, por hedh poshtë akuzat për arratisje me qëllimin për t’iu fshehur drejtësisë pas paraqitjes së tij në SPAK.

“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në ShBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur”, tha Berisha mes tjerash.

E Veliaj, përmes një statusi në Facebook, i mohoi këto pretendime.

“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, shkruan Veliaj në Facebook.

Më tej, ai sqaron se do të rikthehet në Shqipëri pas 48 orësh dhe shprehet se nuk i trembet drejtësisë dhe SPAK-ut, “ndryshe nga çfarë ndodh në kampin blu”.

“Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet. Ashtu siç e di që unë nuk jam mbështetës i drejtësisë së re që nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua”.

“Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pasaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji”, shkroi kryebashkiaku Veliaj.

Komento: