Berisha takohet me Kurtin: S’kemi vija të kuqe për askënd

11:08 | 03 April 2025
berisha-takohet-me-kurtin:-s’kemi-vija-te-kuqe-per-askend

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane Veton Berisha, i shkoi sot në zyrë kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili që nga dje ka nisur konsultimet për formimin e Qeverisë së re, me komunitetet joshumicë.

Pas takimit, Berisha deklaroi para mediave se s’ka vija të kuqe për askend, andaj iu përgjigj edhe ftesës së Kurtit.

Ai bëri të ditur se në takim shpalosi programin e PLE-së dhe kërkesat e komunitetit egjiptian, duke bërë me dije se kanë kërkuar që të ndikojnë në politikat qeveritare.

“Siç e dini, kryeministri Kurti ka filluar një angazhim të tij për të takuar përfaqësuesit e komuniteteve, edhe ne kemi qenë të ftuar. Normalisht, si parti parlamentare, e rikthyer në kuvend, pas katër vjetësh dhe pas shumë padrejtësive që na janë bërë si Parti Liberale Egjiptiane, jemi kthyer dhe kemi qenë në llogaritë e kryeministrit, për t’u takuar. Biseduam për një bashkëpunim të mundshëm midis nesh. Normalisht, ne si Parti Liberale Egjiptiane, për shkak të kërkesave tona që janë në raport me zhvillimin e komunitetit egjiptian, në parim, nuk kemi asnjë vijë të kuqe, me askënd. As me kryeministrin Kurti, e as me askënd në Kosovë. Ne i patëm kërkesat tona dhe nëse hyjmë në qeveri, kërkuam që me pasë mundësi që me ndiku në politikat qeveritare”, tha Berisha para mediave transmeton Klankosova.tv

Kreu i Partisë Liberale Egjiptiane, theksoi se ky subjekt do të jetë pjesë e seancës konstituive të 15 prillit.

Veton Berisha, ndër të tjera tha se sot nuk u arrit ndonjë marrëveshje konkrete për formim të qeverisë.

“E dorëzuam një program të partisë, që e kemi pasë gjatë fushatës, e që janë nevojat e komunitetit dhe ka mbetur që, në ditët në vijim, të kemi takime prapë, dhe të finalizojmë ato. Ky ishte një takim i parë. Ne do të jemi në kuvend ditën kur mbahet seanca konstituive, ndërsa për pjesën tjetër, sigurisht që do të presim një moment kur të jemi të gatshëm”, deklaroi ai./

Komento:
loading