Pjesa më e madhe e vëmendjes do të përqendrohet jashtë fushës kur Monza do të përballet me kampionin aktual, AC Milan në Serie A këtë të shtune.
Do të ketë fytyra të njohura në stadiumin “San Siro”, pasi që Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani do të rikthehen te klubi të cilin e udhëhoqën drejt 29 trofeve përgjatë 31 vitesh.
Berlusconi e bleu skuadrën e Monzas në vitin 2018 dhe e emëroi shef të skuadrës Adriano Gallianin, kështu dyshja e famshme u ribashkuan pasi që gjetën suksesin te Milani deri në momentin kur Berlusconi shiti “Rossonerët” në vitin 2017, përcjell lajmi.
“Do të jetë e vështirë që të gjejë zhveshtoren e duhur. Jam duke bërë yoga tani sepse unë do t’i kem kamerat e fokusuara në mua për 90 minuta. Kam qenë duke punuar për disa ditë që të jem imun ndaj emocioneve, ose të paktën kam provuar. Do të vazhdoj me emocione pas ndeshjes, por nuk mund ta bëjë në Milan-Monza”, tha Galliani.
Monza momentalisht gjendet në vendin e 14, pesë pikë larg zonës së rrezikut në tabelë, kurse Milani zë vendin e tretë dhe fitorja këtë vikend do ta dërgonte atë në vendin e parë, pasi që Napoli dhe Atalanta nuk do të luajnë deri të dielën.