Bërnabiq thotë se njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues, vijë e kuqe për Serbinë.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka bërë sot deklarata të reja në lidhje me propozimet e fundit për marrëveshje finale me Kosovën.
Njohja e Kosovës në kufijtë ekzistues është vijë e kuqe mbi të cilën Serbia nuk do të kalojë, ka thënë Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq.
Ajo ka shtuar se në këtë moment nuk sheh asnjë sinjal të çfarëdo marrëveshjeje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Serbia nuk do të lejojë që Prishtina t’i fitojë të gjitha e Beogradi të humb gjithçka. Në këtë moment duhet ta shohim se sa më së shumti mund të fitojmë, e sa më pak të humbim dhe të jemi racional dhe real në këtë pikë. Por, që Serbia të humb gjithçka e Prishtina të fitojë të gjitha, kjo është e papranueshme, dhe nuk është zgjidhje e drejtë”, tha ajo për “Tanjug”, transmeton lajmi.net.
Por, Kosova nuk është për t’u blerë dhe shitur, shton ajo duke komentuar propozimet që mund të dëgjohen në kohën e fundit rreth mundësisë që Serbisë për njohje duhet t’i ofrohet më shumë se anëtarësimi në BE.
“Duhet të kthehemi në pikën e të drejtës ndërkombëtare dhe drejtësisë”, porosit Bërnabiq. Por, ajo beson se aktualisht palët janë larg nga çfarëdo marrëveshje dhe nuk sheh arsye për optimizëm kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut.
“Beogradi ka toleruar shumë provokime të Prishtinës për shkak të qetësisë dhe stabilitetit por taksa ka krijuar atmosferë e cila e ka bërë të pamundur çfarëdo dialogu. Menjëherë pas heqjes së taksës, ne jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun”, theksoi ajo.