Bernard Challandes vazhdon kontratën me Kosovën deri në vitin 2022

17:21 | 27 August 2020

Bernard Challandes do të mbetet përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në futboll deri në vitin 2022, ka konfirmuar Federata e Futbollit e Kosovës.

Trajneri zviceran ka vazhduar kontratën me Kosovën edhe për dy vjet.

Sipas njoftimit nga FFK-ja, deri te marrëveshja e re erdhi si “rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura të Dardanëve në periudhën 2018-2020, derisa me punën e trajnerit zviceran kanë qenë të kënaqur të gjithë”.

Kontrata e 69-vjeçarit kishte përfunduar në fund të qershorit, por për shkak të rrethanave të krijuara nuk kishte pasur shumë zhvillime lidhur me kontratën. Dje KOHA raportoi se Challandesi kishte mbajtur takim me kreun e FFK-së, Agim Ademi, para dy ndeshjeve që Kosova do t’i zhvillojë në shtator në kuadër të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, ndaj Moldavisë dhe Greqisë.

Challandes mori drejtimin e Kosovës më 2 mars të vitit 2018. Nën drejtimin e tij Kosova ka bilanc pozitiv – 11 fitore, pesë barazime e katër humbje.

Challandes e ka udhëhequr me sukses Kosovën në kampanjën në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Përmes saj, Kosova siguroi pjesëmarrjen në plejof për Euro 2020. Ndërkohë edhe kualifikimet për Euro 2020 u vlerësuan të suksesshme për Kosovën, ndonëse nuk u sigurua bileta në grup të vështirë.

Kosova muajin tjetër e luan ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore. Nëse e fiton atë, luan në finale të plejofit për vend në Evropian.

Challandes ka bërë bujë edhe me paraqitjet plot pasion. Tifozët e Kosovës e vlerësojnë lartë për punën që ka bërë.

Komento: