Bernard Nikaj, PDK: Dimri po vjen, edhe me terr edhe me tarifa të larta

14:13 | 15 Gusht 2022

Nikaj për reduktimet në mes të verës: KEK’u është i njëjti, por Qeveria Kurti është e paaftë.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, në një konferencë për media ka kërkuar përgjegjësi e llogaridhënie nga Qeveria Kurti, për siç ka thënë, paaftësi të menaxhimit të krizës energjetike, duke filluar nga sot me reduktime.

Nikaj tha se kjo situatë 6 orë me rrymë dhe 2 pa rrymë në mes të gushtit është dështim kapital i logjikës rrugë pa krye të Albin Kurtit.

“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit, i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”, tha ai.

Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disa mujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë, e cila po heshtë karshi kësaj situate përkundër që secili qytetar i Kosovës po cenohet nga përditshmëria e tij për shkak të reduktimeve.

“Korporata Energjetike e Kosovës është po e njëjta Korporatë, e cila veçmas në muajt e verës, me kapacitetet e veta prodhuese arrin të mbulojë nevojën e konsumit të energjisë, pa pasur nevojë për reduktime. Megjithatë, ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si me menaxhu sektorin energjetik, e ka pru punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, theksoi Nikaj.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

“Edhe vjeshtën e vitit të kaluar, në vazhdimësi kemi paralajmëruar për sfidat e furnizimit me energji gjatë dimrit. Këto paralajmërime ranë në veshë të shurdhër të qeverisë aktuale e cila nuk ndërmori asgjë por thjeshtë, e injoroi situatën. Edhe këtë vit, ka më shumë se dy muaj që kemi paralajmëruar thellimin e krizës energjetike dhe kemi rekomanduar se çfarë veprime duhet të ndërmerren. Përsëri, Qeveria s’ka bërë asgjë, përveç që së voni ka filluar ta konfirmoj atë që e kemi thënë ne më herët – se ky dimër do të jetë edhe më i rëndë se dimri i kaluar. Edhe sot na duhet ta theksojmë se dimri po vjen dhe nëse vera po përmbyllet me terr, atëherë dimri do të na gjejë me terr, por edhe pa ngrohje dhe me çmime të larta. Dhe fajin për këtë krizë e ka vetëm Qeveria”, tha Nikaj.

Komento: