Besa Ismaili e la BIK-un për politikë

13:57 | 04 September 2019

Besa Ismaili, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame gjatë ditës së djeshme ka aderuar në PDK. Në lidhje me aderimin e saj në këtë parti politike, kanë reaguar nga Bashkësia Islame.

Sekretar i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu për Insajderin ka thënë se me këtë veprim Ismaili ka humbur të drejtën të jetë punëtore e rregullt në BIK.

Kjo për shkak se sipas rregullores së Bashkësisë Islame një veprim i tillë është i dënueshëm, ka thënë Sadriu.

“Ne me qarkore me vendim të kryesisë që e kemi nga 2009-ta, thuhet se nëse dikush angazhohet në partitë politike i shkëputet marrëdhënia me Bashkësinë Islame. Njësoj qëndron edhe ndaj Besa Ismailit nuk do të veprohet ndryshe. Ajo ka të drejt, kurrkush nuk ia ndalon, mirëpo në të njëjtën kohë me qenë punëtore dhe njëjtën me u kyç në parti është e sanksionume me rregulloret tona. Kështu që ajo e humb të drejtën e punëtores së rregullt në Bashkësinë Islame”, ka thënë ai për Insajderin.

E gjatë ditës së djeshme, kryetari i PDK-së Kadri Veseli e ka prezantuar Besa Ismailin, profesoreshë e Fakultetit të Studimeve Islame, si anëtare të kësaj partie.

Ndërsa, Besa Ismaili, ndonëse në rrezik për të humbur vendin e punës në BIK, i është gëzuar shumë aderimit në partinë e Kadri Veselit, parti e cila jo më larg se më 2011 votonte kundër futjes së edukatës fetare në shkolla.

Ajo ka thënë se me aderimin në PDK i është plotësuar një ëndërr familjare.

“Rrugëtimi im si qytetare e Republikës së Kosovës, në fillet e përballjes kundrejt përgjegjësive dhe sakrificave, ka plotësuar ëndrrat e familjes, por që e kaluara e përbashkët nuk ka prodhuar të njëjtën edhe për shoqërinë në përgjithësi”, ka shkruar profesoresha Ismaili.

Komento: