
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa në emisionin Adresa, ka folur për procesin e dështuar të dakordësimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, duke theksuar përgjegjësitë e partive në pushtet dhe të opozitës.
Mustafa deklaroi se përpara se çështja të shkonte tek Gjykata Kushtetuese, nuk arriti të krijohet një proces i përbashkët mes LVV-së dhe LDK-së, ku të caktoheshin kriteret, mënyra e trajtimit dhe emri i kandidatit. Ai e quajti këtë fatkeqësi, jo vetëm për arsye se ai është deputet i LDK-së, por për shkak të përgjegjësisë parlamentare që bie sipas numrave, ku partia në pushtet numëron gjithësej 66 deputet. E sipas tij, në këtë rast i duhen vetëm edhe 14 numra per te zgjedhur presidentin.
Sipas Mustafas, koalicioni qeverisës ka 66 deputetë, dhe mbart peshën kryesore të përgjegjësisë për vendimmarrje, ndërsa partitë e tjera e ndajnë përgjegjësinë proporcionalisht sipas përfaqësimit të tyre. Ai shtoi se kjo nuk është për të minimizuar rolin e partisë së tij, por kjo është mënyra si qytetarët e Kosovës kanë vendosur përmes zgjedhjeve./Gazeta 10