Haradinaj ka kujtuar dëshmorët e betejës së Kaçanikut
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 20-vjetorin e betejës së Kaçanikut në të cilën ranë heroikisht 28 dëshmorë dhe 32 martirë.
“Kaçaniku, me Brigadën 162 “Agim Bajrami”, e lartësoi emrin e vet edhe njëherë në Luftën Çlirimtare. Lirisë së Kosovës, kjo brigadë ia fali 28 dëshmorë, duke ia shkruar sërish historinë e lavdisë. Më 9 prill, 20-vjet më parë, Gryka e Kaçanikut jehonte gjatë luftimeve, nga këngët dhe pushkët e lirisë të bijave dhe bijve të tij më të devotshëm. Sot me respekt e krenari i kujtojmë dëshmorët e kësaj beteje. Lavdi e përjetshme”, shkruan Haradinaj në Facebook.
20 vjet më parë, qindra të rinj e të reja, luftëtarë të paepur të vendit tonë luftuan me guximin dhe vendosmërinë e ushqyer nga ideali i tyre për një Kosovë të lirë.
Ushtria serbe atë kohë kishte planifikuar një skenar vrasës kundër qytetarëve të Kaçanikut dhe pas humbjeve të njëpasnjëshme në beteja të shumta, grumbulloi forca të mëdha duke sulmuar popullatën civile në Rakoc.
Në Betejën e 9 prillit, në Lagjen e Re të Kaçanikut u zhvilluan luftime të ashpra, ku në fronin e betejës ranë heroikisht Izahir Troni, Mynyr Thaçi, Remzi Zharku, Blerim Raka, Habit Dullovi, Raif Krivanjeva, Fatmir Horuni, Sylejman Kuka dhe Burim Rexha. Ndërsa në Betejën e “Rakocit” ranë heroikisht: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Abdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Kjani Bela, Shefket Fera, Nexhmi Fera, Adem Rakoci, Nevzat Çallaku, Mukadeze Muhaxheri-Lika dhe Kadri Trena.