Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe Nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, së bashku janë zgjedhur si “Persona të Vitit” nga revista e njohur amerikane, “Times”.
Në njoftimin për ofrimin e këtij epiteti, revista shkroi se Biden dhe Harris ofruan ndreqje dhe përtëritje me një biletë të vetme, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Pas një fushate zgjedhore me tensione të shumtë, të ndodhur një mesin e një pandemie vdekjeprurëse, një krize ekonomike dhe një lufte me racizmin, Biden dhe Harris triumfuan në zgjedhjet që nxitën numrin më të madh të votuesve në shekullin e fundit.
“Për ndryshimin e rrëfimit amerikan, për dëshminë se forcat e ndjeshmërisë janë më të mëdha se tërbimet e përçarjes, për ofrimin e një vizioni të shërimit në një botë në vuajtje, Joe Biden dhe Kamala Harris janë Personi i Vitit 2020”, tha kryeredaktori dhe shefi ekzekutiv i kësaj reviste, Edward Felsenthal.
Në mesin e kandidatëve për ta marrë këtë titull ishin edhe Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, punëtorët shëndetësorë që janë duke ofruar ndihmë në luftën kundër pandemisë dhe pjesëmarrësit e lëvizjes për drejtësi racore, e cila u krijua pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd.
Personi i Vitit i kësaj reviste zakonisht është një individ, por viteve të fundit ka pasur raste kur janë nominuar disa persona për të njëjtën vepër.
Revista “Time” e kishte filluar traditën e përzgjedhjes së “Personit të Vitit” që nga viti 1927. Vitin e kaluar, këtë titull e mori aktivistja suedeze për mbrojtjen e klimës, Greta Thunberg.