Biden shpallet fitues edhe në Georgia

11:50 | 14 November 2020

Me fitoren në Georgia, i zgjedhuri president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tashmë kan 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, 36 më shumë sesa minimuni i nevojshëm. Ndërkohë zyrtarët e fushatës së Trumpit humbën një betejë ligjore për rezultatin e zgjedhjeve në Michigan dhe tërhoqën një ankesë në Arizona.

Kandidati demokrat fitoi me rezultat të ngushtë në Georgia, ndërsa Trumpi e fitoi Karolinën Veriore. Fituesit u bënë të ditur të premten, një javë e gjysmë pas ditës së zgjedhjeve, shkruan The New York Times.

Joe Biden e siguroi fitoren në zgjedhje kur u shpall fitues i 20 votave të Kolegjit Zgjedhor në Pensilvani të shtunën e kaluar, me ç’rast e kaloi pragun e nevojshëm prej gjithsej 270 votash për t’u zgjedhur president.

Fitorja e Bidenit në Georgia, shtet që dikur ishte bastion i Republikanëve, nënkupton që ai ka arritur t’ia marrë pesë shtete Trumpit, të cilat Partia Republikane i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2016. Katër tjerat janë Arizona, Michigani, Pensilvania dhe Wisconsini.

Në përgjithësi, Joe Biden fitoi në 25 shtete dhe në Distriktin e Kolumbisë, që përbëjnë 57 për qind të popullsisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa Donald Trump fitoi në 25 shtete tjera.

Kështu, Joe Bideni fitoi edhe në aspektin e votave popullore me mbi 78 milionë sosh, 5.3 milionë më shumë se rivali Donald Trump.

Joe Biden do të emërohet zyrtarisht si president në janar të vitit të ardhshëm, kur të mblidhet Kongresi.

Komento: