Biden: Zelensky nuk donte t’i dëgjonte paralajmërimet për pushtim

09:47 | 11 June 2022

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha të premten se homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky “nuk donte të dëgjonte” paralajmërimet amerikane përpara pushtimit rus të Ukrainës.

“E di që shumë njerëz menduan se po ekzagjeroja”, tha Biden në një pritje për mbledhjen e fondeve në Los Angeles, duke iu referuar paralajmërimit të tij për mundësinë e një sulmi rus në Ukrainë.

“Por e dija që kishim të dhëna për të mbështetur vlerësimin,” shtoi ai para gazetarëve.

“Presidenti rus Vladimir Putin do të hynte në kufi. Dhe nuk kishte dyshim dhe Zelensky nuk donte ta dëgjonte këtë, as shumë njerëz të tjerë. Unë e kuptoj pse ata nuk donin ta dëgjonin atë, por ai hyri”, tha Biden.

Shtetet e Bashkuara filluan të ngrenë alarmin mbi përgatitjet e Rusisë për një pushtim të Ukrainës shumë përpara se Putini të shpallte “operacionin special” kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Paralajmërimet u pritën me mosbesim dhe madje kritika të mbuluara nga disa aleatë evropianë, të cilët në atë kohë mendonin se Shtetet e Bashkuara po tregoheshin shumë alarmante./REL

Komento: