Bie çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare

17:50 | 08 Prill 2026
bie-cmimi-i-naftes-ne-tregjet-nderkombetare

Çmimet e naftës sot në tregun e Londrës lëvizin rreth 95 dollarë, duke reflektuar lehtësimin e investitorëve pas njoftimit për armëpushim dy-javor mes SHBA-së dhe Iranit dhe pas skicave më të qarta të një plani për normalizimin e tranzitit përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në Londër, një fuçi naftë u tregtua 14,71 dollarë më lirë se çmimi i mbylljes së ditës së kaluar, ndërsa në tregun amerikan çmimi ra 17,32 dollarë, duke u tregtuar për 95,63 dollarë. Tregjet prisnin me shqetësim mbrëmë një sulm të mundshëm amerikan ndaj Iranit. Pak para skadimit të afatit të dhënë Iranit për të hapur Hormuzin, presidenti amerikan, Donald Trump shpalli armëpushimin, ndërsa ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, njoftoi se anijet do të mund të kalojnë lirshëm në koordinim me ushtrinë dhe duke respektuar kufizimet teknike.

Një zyrtar i lartë iranian tha për Reuters se Irani mund të hapë kontrolluar Hormuzin të enjten ose të premten, para takimit të zyrtarëve amerikanë dhe iranianë në Pakistan. Presidenti amerikan shtoi se SHBA-ja do të ndihmojë në heqjen e bllokadës së trafikut dhe do të diskutojë me Iranin për heqjen e tarifave dhe sanksioneve. Aktualisht, kontaktet midis dy vendeve bëhen vetëm përmes Pakistanit.

Në Gjirin Persik janë bllokuar aktualisht 10 deri 13 milionë fuçi nafte dhe produkte nafte në ditë, ndërsa para luftës përmes Hormuzit kalonin 20 milionë fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Kthimi në ‘status quo’ para-luftës varet nga shndërrimi i armëpushimit në paqe të përhershme. Deklarata e armëpushimit uli gjithashtu çmimin në tregun evropian të dizelit. Një ton dizel u tregtua 1221,75 dollarë, 306 dollarë më lirë se ditën e kaluar, ndërsa një fuçi dizel kushtonte 165,1 dollarë, 41,4 dollarë më lirë, raporton cnn.

Ndërmjetësuesit që duan të dërgojnë tankeret përmes Hormuzit kërkojnë sqarime për detajet logjistike, ndërsa rafineritë dhe prodhuesit po informohen për ngarkimin. Sipas ekspertit të Fertmax FZCO, Daejin Lee, periudha 14-ditore është shumë e shkurtër për të rikthyer besimin e nevojshëm për të hequr rrezikun e pasigurisë, sidomos për linjat e ngarkimit në vendet arabe të Gjirit Persik.

Megjithatë, kërkesat për ngarkimin e naftës nga Lindja e Mesme në tankeret e mëdha me destinacion Azi janë rritur. Rafineritë aziatike që po interesohen përfshijnë Reliance Industries nga India, rafinerinë vietnameze Nghi Son, Indian Oil dhe kompaninë kineze CNOOC. Pyetje për ngarkimin i janë drejtuar gjithashtu kompanive Abu Dhabi National Oil Co (ADNOC), Glencore nga Zvicra dhe TotalEnergies nga Franca. Ndërkohë, sipas llogaritjeve të OPEC, një fuçi nga shporta e naftës së anëtarëve të saj ishte 124,12 dollarë, 25 centë më shtrenjtë se një ditë më parë. /Telegrafi/

Komento: