Serbia ka pësuar humbje të madhe që nga vendosja e taksës nga Kosova.
Taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe, e ka ulur drastikisht importin legal nga ky shtet në Kosovë.
Ndonëse në raftet e marketeve në Kosovë vërehet ende prezencë e madhe e mallrave serbe, krahasuar me vitet e kaluara importi nga Serbia është shumëfish më i vogël, shkruan lajmi.net.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës për lajmi.net ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar nga Serbia dhe Bosnja kanë hyrë mallra në vlerë të vetëm dy milionë eurove.
Ai thotë se të gjitha këto mallra që kanë hyrë kanë paguar edhe taksë.
“Gjatë vitit te kaluar kishim nje numër të ulët te importeve nga Serbia dhe Bosnja ku pas vendosjes së taksës e deri në fund të vitit kishim rreth 2 milionë euro import po aq edhe taksa”, bën të ditur Stavileci.
Nga Dogana e Kosovës thonë se trendi i ulët i hyrjes së mallrave nga Serbia e Bosnja për në vendin tonë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti.
Gjatë këtij viti, 2.2 milionë euro mallra kanë hyrë nga Serbia dhe Bosnja, gjë që shënon një statistikë jashtëzakonisht ndryshe nga viti i kaluar.
Sipas trendit aktual, importi deri në fund të vitit pritet të arrij vlerën e pesë milionë eurove nga këto dy vende, për dallim nga vitet e kaluara që shkonte deri në 550 milionë euro.
“Derisa këtë viti trendi i ulet ka vazhduar pra për këtë periudhë importi nga këto dy vende është 2.2 milion euro dhe në bazë të këtij trendi pritet që deri në fund të vitit vetëm rreth 5 milion euro import (te cilet paguajnë po aq takse) që nëse krahasohet me vitet paraprake reni është rreth 99% pasi një vit nga Serbia dhe Bosnja kishim import prej 550 milion euro”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, nga shteti serb thonë se raftet e marketeve janë të mbushura me mallra serbe.
Ata indirekt e pranojnë se këto mallra në shtetin tonë po futen përmes kontrabandës.
Një gjë të tillë e pranoi dje edhe vet presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.