Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve ka bërë që të bie niveli i liqenit të Batllavës dhe Badovcit.
Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka bërë thirrje tek konsumatorët që të jenë përgjegjës dhe ta shfrytëzojnë ujin në mënyrë të drejtë pasi që niveli i ujit në liqenin e Badovcit dhe Batllavës ka rënë.
Në njoftimin për media, thuhet se uji i pijshëm duhet të shpenzohet për nevoja shtëpiake dhe assesi për destinime tjera.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë / konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit,,Prishtina,, sh.a., ju njoftojmë se çdo ditë e më shumë po rriten kërkesat për ujë të pijshëm.
Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 4.57 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badovcit minus 5.95 metra nën kuotën maksimale.Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
Të shpenzojmë ujin e pijshëm për nevoja shtëpiake dhe assesi për destinime tjera të paarsyeshme.
KRU,”Prishtina” sh.a. me të gjitha kapacitetet teknike trajtuese është duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit të pijshëm te të gjithë konsumatorët.
Ankesat e konsumatorëve në disa pika të larta të furnizimit, në objekte që janë të ndërtuara mbi kuota të rezervuarëve, janë prezente dhe kjo krejt për shkak të keqpërdorimit të ujit që po ndodhë në pika të ulëta furnizuese.