Bie niveli i ujit në Batllavë

23:39 | 30 June 2019

Niveli i ujit në Liqenin e Batllavës dhe Badocit ka rënë dukshëm.

Kështu ka bërë të ditur Ilir Abdullahu, kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Abdullahu ka thënë se momentalisht niveli i ujit në Liqenin e Batllavës është minus 4.3 metra nga niveli maksimal ndërkaq në Liqenin e Badocit niveli i ujit nga niveli maksimal është minus 5.8 metra.

Ai ka bërë apel te qytetarët që të mos e keqpërdorin ujin e pijshëm dhe ta kursejnë atë.

“Apelojmë tek qytetarët që të moskeqpërdorin ujin e pijes pasi jemi duke u ballafaquar me mungesa të reshjeve nga periudha që lamë dhe në periudhën e tanishme kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta që një sasia jo e vogël nga liqet do të avullohet dhe rëniet e niveleve do të shpejtojnë si rezultat i thatësirave. Lusim të gjithë konsumatorët që të kenë kujdes gjatë përdorimit të ujit për pije dhe të kursejmë secili nga ne që të rrisim sigurinë e furnizimit më ujë për muajt në vijim”, ka apeluar Abdullahu për Lajmi.net.

Tutje Abdullahu ka bërë të ditur se Liqeni i Batllavës dhe ai i Badocit të vetmin burim të mbushjes së ujit e kanë nga reshjet e borës dhe të shiut.

Sipas tij, pavarësisht rënies së nivelit të ujit në këto dy liqene, furnizimi me ujë të pijshëm në Prishtinë vazhdon të jetë stabil.

“Ju rikujtojmë që liqenet tona mbushen vetëm nga reshjet e borës dhe shiut dhe nuk kemi asnjë alternative tjetër për të mbushur këto liqene prandaj kërkojmë mirëkuptim dhe bashkëveprim në situatat që na presin. Furnizimi vazhdon të jetë stabil dhe për hapat e tjerë do të ju mbajmë te informuar”, ka treguar Abdullahu.

Komento: