Bie numri i rasteve të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

17:23 | 16 August 2020

Maqedonia e Veriut regjistron ulje të numrit të të infektuarve me COVID-19 .

Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar 87 raste me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 dhe pesë viktima të reja.

Raporti i Ministrisë së Shëndetësisë flet për ulje të rasteve të të infektuarve sikur edhe të viktimave.

Në katër ditët e fundit janë regjistruar gjithsej 529 persona të infektuar nga 7,182 teste të kryera, që gjithashtu shënon numrin rekord të testeve Brenda një dite.

Të shtunën dhe të premten janë testuar nga mbi 2 mijë persona.

Sipas raportit të publikuar rënia ka shënuar edhe numri I rasteve aktive, që aktualisht është në 3,021 ndërsa në dy ditët e kaluar ishte ulur edhe nën shifrën e tre mijë rasteve, për herë të parë në dy muajt e fundit.

Nga 12,739 persona të diagnostikuar me koronavirusin e ri, 9,174 janë shëruar ndërsa 544 kanë humbur jetën. Numri më i madh i viktimave mbetet në Shkup, apo më shumë se gjysma e tyre.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se institucionet shëndetësore me sukses po përballen me pandeminë

“Mendoj se kriza është menaxhuar mirë dhe tregues për këtë është se kemi një përqindje konstante të rasteve pozitive nga numri i përgjithshëm i testeve, numri i pacientëve në spitale po zvogëlohet gradualisht. Nuk duhet të lejohet që të kemi rritje të rasteve pozitive nga numri i përgjithshëm i testeve, sepse kjo do të thotë që ne nuk dimë se çfarë po ndodh dhe nuk kemi një pasqyrë të plotë të epidemisë”, ka deklaruar Filipçe duke njoftuar përgatitjen për hapjen e 16 qendrave spitalore për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Ai ka thënë se vjeshta do të jetë një sfidë e madhe për institucionet shëndetësore, ta cilat përskaj virusit të ri duhet të përballen edhe gripin sezonal dhe viruse tjera andaj edhe ka përsëritur apelin për kujdes dhe rekomandim të masa mbrojtëse

Komento: