Numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA, më i ulëti në një muaj.
Shtetet e Bashkuara regjistruan në 24-orëshin e fundit 1,015 viktima nga koronavirusi, që është numri më i vogël brenda një dite tash e një muaj.
Në total, SHBA-ja ka afro 69,000 viktima nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ndërsa mbi 1.1 milion njerëz atje janë infektuar.
Prej tyre, afro 200,000 tashmë janë shëruar.
Gazeta Neë York Times ka cituar të hënën një dokument të brendshëm të Qeverisë amerikane, i cili parashah rritje të mprehtë të infektimeve me koronavirus nga 1 qershori.
Sipas këtij dokumenti, deri në 200,000 raste të reja mund të regjistrohen në ditë, ndërsa numri ditor i viktimave mund të arrijë në rreth 3,000.
Shifrat, megjithatë, nuk janë konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë.