Bisedimet në Bruksel: Akoma s’dihet nëse do të ketë takim të përbashkët trepalësh

10:33 | 19 Mars 2024
bisedimet-ne-bruksel:-akoma-s’dihet-nese-do-te-kete-takim-te-perbashket-trepalesh

Në nivel të kryenegociatorëve, Kosova dhe Serbia sot do të vazhdojnë rundin e ri të dialogut, ku agjenda do të jetë e fokusuar në diskutimet për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksin për zbatimin e saj dhe ndër të tjera do të diskutojnë edhe për çështjen e dinarit.

Në Bruksel sot janë ftuar për takim kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq.

Takimi i përbashkët trepalësh nuk është ende e sigurt se do të ndodhë, raporton rel.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja.

Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re/Sinjali/

Komento: