Zëvendëskryeministri për Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka informuar sot Këshilltarin kryesor për Politika të Jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Në njoftimin e qeverisë thuhet, që marrëdhëniet e Kosovës me BE-në duhet të shkojnë një hap më tutje.
“Në këtë takim, këshilltari i Presidentit Charles Michel, u informua mbi vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Ka ardhur koha që marrëdhëniet dhe partneriteti me Bashkimin Evropian të shkojë një hap tutje. Kosova ka shënuar progres të theksuar, në fusha kyçe në bashkërendimin dhe përafrimin e standarteve me ato të BE-së si në sundim të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik e demokratizimin”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Sipas Qeverisë, progresi i arritur dëshmohet edhe nga Raporti për vendin 2022 i Komisionit Evropian.
Në fund, bëhet e ditur se zëvendëskryeministri Bislimi e ka falënderuar Mordue’n për takimin dhe “bisedën e frytshme”.
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE do të paraqitet gjatë muajit dhjetor 2022.