Bislimi: Këtë vit Kosova u përball me tentativat destabilizuese nga fqinji verior

15:29 | 31 December 2022

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka bërë një përmbledhje të ngjarjeve të vitit 2022, ndërsa tha se vendi këtë vit u përballë me tentativat destabilizuese nga fqinji verior, por që u përballuan me sukses e vendosmëri.

Duke numëruar të arrituarat gjatë vitit 2022, Bislimi ka përmendur aplikimin për anëtarësim në KE, dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe përparimin në çështjen e liberalizimit të vizave.

“Kemi shpërndarë mbi 200 milionë euro vetëm përmes Pakove të Ringjalles Ekonomike dhe asaj të Përballjes me Inflacionin. Kemi shënuar progres në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ku janë miratuar në Qeveri e Parlament numri më i lartë ndonjëherë i ligjeve dhe projektligjeve në kuadër të agjendës evropiane dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Vendi ynë, ka aplikuar këtë vit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, e së fundmi në muajin dhjetor kemi dorëzuar dhe aplikimin për anëtarësim në BE. Pas vitesh të pritjeve të shumta, tashmë kemi ecur përpara në çështjen e liberalizimit të vizave, ku pas përfundimit të hapave të fundit të mbetur, qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza, më së largu me 1 janar 2024.”, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi ka theksuar se Kosova është eksportuese e demokracisë në rajon e Evropë.

“Arritjet e sukseset e Qeverisë, u vërtetuan edhe në Raportin për Vendin 2022, i cili ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën. U përballëm dhe me tentativat destabilizuese nga fqinji ynë verior, të cilat i përballuam me sukses e vendosmëri. Kosova është kontribues i stabilitetit, paqes, vlerave demokratike e fqinjësisë së mirë. Jemi eksportues të demokracisë, në rajon e Evropë. Kemi shënuar të arritura të shumta gjatë këtij viti, por e dimë që ka ende punë për të bërë. Përpara, drejt një viti tjetër plot përkushtim, angazhim e suksese të reja.”, ka shtuar tutje Bislimi.

Komento: