Besnik Bislimi ka përfunduar vizitën e tij treditore në Bruksel, duke e përmbyllur me takimet e zhvilluara me zëvendëspresidenten për Vlera dhe Transparencë në Komisionin Evropian, Vera Jourova dhe me Drejtoren Menaxhuese për Evropë në EEAS, Angelina Eichhorst.
Pas takimeve në Parlament, Këshill, Komision dhe me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, Bislimi u takua me zyrtarët nga Komisioni Evropian dhe EEAS, ku i informoi mbi vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në takimin me Jourovan, Bislimi tha se Kosova ka shprehur përkushtimin e plotë ndaj vlerave e standardeve evropiane.
Aty Bislimi tha se Kosova është gati për aplikimin për anëtarësim dhe kalimin më tej në fazat e ardhshme, me përkushtimin e plotë në rrugën e gjatë përpara dhe në proceset e integrimit evropian. Ai gjithashtu përmendi mirënjohjen e veçantë ndaj Presidencës Çeke, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Jourova shprehu admirimin ndaj hapave dhe politikave në zhvillimin ekonomik e sidomos në luftën kundër korrupsionit. Palët biseduan edhe mbi reformat në sistemin gjyqësor, si dhe rezultatet e qëndrueshme në sundimin e ligjit.
Ndërkohë, në takimin me Eichhorst, Bislimi ritheksoi se vendimi për aplikimin për anëtarësim ishte lajmëruar që vitin e kaluar dhe tani është momenti për të formalizuar dhe dorëzuar aplikimin.
“Vendi ynë, ka përafruar politikën e saj të jashtme në linjë me Bashkimin Evropian. Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe hapave përpara drejt liberalizimit të vizave, elementi përbërës kryesor për ta përmbyllur këtë vit të suksesshëm është aplikimi për anëtarësim në BE”, thuhet në komunikatën e Qeverisë