Bislimi për draftin franko-gjerman: Një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza

19:08 | 01 November 2022

Drafti franko-gjerman, Bislimi: Një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza.

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi i draftit franko-gjerman për dialogun, përmban në vete dy faza që kanë të bëjnë me zgjidhjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është një propozim që mendoj, pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë”.

“Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 përqind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka deklaruar se ai dokument është parë nga ai dhe se nuk mund të flasë nëse ka rezerva për këtë plan nga pala serbe.

“Ne nuk i dimë rezervat e palës serbe për arsye se dokumenti deri më tani nuk është bërë publik dhe rrjedhimisht nuk mund të diskutohet në forume më të mëdha. Natyrisht që është parë nga unë dokumenti”.

“Është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve. Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, ka thënë Bislimi për REL.

Komento: