Bislimi për Raportin e Progresit për Kosovën: Ndër më të mirët në Ballkan

18:01 | 18 Tetor 2022

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka vazhduar të insistojë se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën në vitin 2022 ishte më i miri ndonjëherë e ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit.

Këto komente, ai i bëri me anë të një postimi në Facebook ku tregoi për fjalët që tha në diskutimin në tryezën “Agjenda Evropiane 2022”.

“Raporti fillon me theksimin e stabilitetit politik. Tregon se Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë. Raporti tregon edhe se Qeveria ka patur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal në këto periudha, për t’i rezistuar masave populiste, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton si shembull rastin e tërheqjes së trustit”, shkroi Bislimi.

“Është gjithashtu dhe dyfish më i rëndësishëm krahasimi i planit operativ, kur vendi përballet me sfida si pandemia, kriza energjitike dhe inflacioni”, shkroi tutje ai.

Postimi i plotë i Bislimit:

Raporti për vendin 2022 i Komisionit Evropian, është ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e mbajtur në kuadër të diskutimit në tryezën “Agjenda Evropiane 2022” fola mbi të arriturat e evidentuara në raportin për vendin 2022 të Komisionit Evropian.

Raporti fillon me theksimin e stabilitetit politik. Tregon se Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë. Raporti tregon edhe se Qeveria ka patur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal në këto periudha, për t’i rezistuar masave populiste, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton si shembull rastin e tërheqjes së trustit.

Është gjithashtu dhe dyfish më i rëndësishëm krahasimi i planit operativ, kur vendi përballet me sfida si pandemia, kriza energjitike dhe inflacioni.

Për herë të parë, raporti për vendin është konservativ për ndërhyrjet politike, pra nuk ka vlerësim ku thuhet që ka ndërhyrje apo vullnet për ndërhyrje politike në institucionet publike.

Në 1 vit, Qeveria i ka dhënë zgjidhje problemeve që kanë ekzistuar për vite me rradhë dhe që kanë qenë kërkesa të vetë BE. Terminali doganor, ligji per financimin e partive politike, racionalizimi i agjensive janë vetëm disa prej shembujve të shumta.

Gjithashtu, përveç hartimit të strategjive, është vlerësuar puna në kriteret ekonomike si rimëkëmbja, formalizimi i vendeve të punës si dhe ulja e defiçitit.

Tek sundimi i ligjit, në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë fusha kyçe ku vlerësohemi për maturitetin evropian.

Falenderoj institutin ‘’Epik’’ dhe GIZ për ftesën dhe organizimin e kësaj tryeze, ku ishin pjesëmarrës dhe Ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, Ambasadori i Republikës së Çekisë, Pavel Bilek, përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, anëtarë të komisionit parlamentar për Integrim Evropian dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.

Komento: