
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka njoftuar se sot ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku thotë se komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
Bislimi ka sqaruar se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.
Në letrën e publikuar, zyrtari i BE’së si arsye për heqjen e pjesshme të masave ka përmendur tranzicionin e qetë të pushtetit në katër komunat veriore dhe largimin e policisë nga ndërtesat komunale.
“Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro. Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar Bislimi.