Bislimi: Rezoluta mbi të drejtat e shqiptarëve në Luginë merr bekimin e Komitetit të Punëve të Jashtme të SHBA-së

18:56 | 21 Janar 2026
bislimi:-rezoluta-mbi-te-drejtat-e-shqiptareve-ne-lugine-merr-bekimin-e-komitetit-te-puneve-te-jashtme-te-shba-se

Nga Capitol Hill në Washington, zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës u dëgjua si kurrë më parë, këtë herë si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo u bë e ditur nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe aktivist për të drejtat e shqiptarëve në SHBA, Faton Bislimi.

Në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA u miratua rezoluta H.R. 6411, e iniciuar nga Kongresisti Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Rezoluta, e mbështetur në mënyrë bipartizane nga Kryetari Brian Mast dhe Nënkryetari Gregory Meeks, tashmë ka marrë bekimin e Komitetit dhe pritet shumë shpejt të aprovohet nga vetë Kongresi.

Ajo kërkon përgjegjësi ligjore dhe politike nga Beogradi për diskriminimin sistematik të shqiptarëve në këtë rajon. Bislimi e cilësoi këtë ngjarje si “ditë të bardhë për shqiptarët dhe një sinjal të qartë për çdo regjim që mendon se padrejtësia mund të zgjasë pafund.” Ai shtoi se ky moment është për të realizuar vizionin e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili promovoi aleancën me Amerikën dhe besimin në forcën morale të kauzës shqiptare.

“Shumë flasin për rugovizëm. Por rugovizmi nuk shpallet – jetohet. Nuk promovohet me fjalë – dëshmohet me vepra,” tha Bislimi.

Ai theksoi se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është e pazëvendësueshme dhe se liria dhe pavarësia e Kosovës duhet të shtrihet edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Komento: