Bislimi: SHBA ka opsione për Kosovën për çfarëdo situate

16:13 | 08 November 2022

Faton Bislimi: SHBA ka opsione për Kosovën për çfarëdo situate.

Anëtar i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Faton Bislimi, ka thënë se cenimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara e cenon vetë Kosovën. Por, ai thotë se SHBA-ja nuk do të lejojë Kosovën që të dështojë sepse për secilën situatë ka një plan.

Në një bisedë për Gazetën Express thotë se edhe në çështjen e dialogut me Serbinë, për të dalë fitimtare, Kosova duhet të jetë në një linjë me SHBA-në. Ai thotë se njohja reciproke është vendosur si gurthemel i marrëveshjes finale me Serbinë dhe se kjo është bërë me insistimin amerikan.

“Nga përvoja ime mbi dydekadëshe e punës intensive lobiste me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Washington, DC dhe veçanërisht në Capitol Hill, mund të them se miqësia jonë me SHBA-të është unike dhe duhet ruajtur si e tillë. Çfarëdo cenimi i kësaj miqësie cenon edhe vetë Kosovën. Fundja, Republika e Kosovës është edhe projekt amerikan dhe SHBA-të nuk do e lejojnë dështimin e saj sikur edhe ne të donim një gjë të tillë. Për këtë arsye, SHBA-të kanë plane më shume se ne vetë për shtetin tonë. Kanë opsione që do vihen në funksion në secilën situatë të krijuar”.

Ish-deputeti thotë se Kosovës i mbetet që të ecë me hapa të shpejtë drejt përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe se atëherë “fitorja është e jona”.

“Sa herë që Kosova është pozicionuar në linjë të njëjtë me SHBA-të ka dalë fitimtare, në secilin proces historik për vendin – qoftë në Rambuje për shembull, apo edhe në Vjenë. Edhe liria edhe pavarësia e Kosovës janë realitete sot që në sfond e kanë përkrahjen e parezervë të SHBA-ve. Andaj, edhe në procesin e stërzgjatur të dialogut me Serbinë ne duhet të dalim fitimtarë dhe këtë e arrijmë vetëm atëherë kur jemi në një linjë me SHBA-të”.

Bislimi thotë se edhe nëse vihet në një pike kur në tavolinë është marrëveshje finale dhe serbët nuk e pranojnë, në koordinim me Amerikën dhe me bekimin e tyre, Kosova do dalë fitimtare.

“Edhe Rambujeja edhe Vjena na e dëshmojnë këtë. Përkundër që shqiptarët ishin për, serbët nuk pranuan as marrëveshjen e Rambujesë e as Planin e Ahtisaarit, dhe si rezultat, Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë, respektivisht. Në atë kohë dhe në ato rrethana, edhe Rambuje edhe Ahtisaari, për shumëkë në Kosovë nuk ishin të mira sa duhet për Kosovën, por në retrospektive sot e shohim se kanë qenë zgjidhjet me të mira për kohën dhe rrethanat, dhe se përfundimisht Kosova ka përfituar nga këto zgjidhje më shumë sesa Serbia”.

Bislimi thotë se e njëjta ndodh edhe me dialogun në fund, prandaj rekomandon që Kosova të mos e prolongojë procesin meqë kjo i shkon për shtati vetëm Serbisë. Ai thotë se nëse pala destruktive mbetet Serbia, Kosova mund të ketë përfitime nga SHBA, një prej të cilëve mund të jetë anëtarësimi në NATO.

“Në fund të procesit, nëse ne arrijmë të pranojmë marrëveshjen e Serbët e refuzojnë dhe dihet tanimë që ata do të refuzojnë çfarëdo marrëveshje finale që në qendër e ka njohjen reciproke, atëherë ne do dalim fitimtarë ngase SHBA-të do të garantojnë disa benefite shtesë dhe në kohë të shkurtër për Kosovën. Një nga këto benefite kyçe do jetë anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO”.

Bislimi thotë se sa më shpejt që të arrihet në finale të procesit të dialogut, aq më parë Kosova do lirohet nga kjo barrë dhe do të ecë më vrullshëm në rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Veç prolongimi i procesit nuk i konvenon Kosovës. Uroj që deri në fund të vitit që po vije, Kosova do ta ketë heq qafe dialogun dhe do të jetë në rrugë të mbarë drejt NATO-s dhe BE-së. Njohja reciproke është vendos si gurthemel i marrëveshjes finale me Serbinë, dhe kjo është bërë me insistimin amerikan. Nëse Serbia në asnjë variant nuk e pranon këtë lloj marrëveshje, që thuaja se dihet se ata s’e pranojnë këtë, atëherë angazhimi amerikan do jetë në linjë me interesat afatgjata kombëtare të Kosovës dhe sigurisë së saj nacionale. Në këtë situatë, Kosova do ecte me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO”.

Komento: