Bislimi: Skema e profesionistëve të rinj transformoi administratën publike

10:08 | 09 November 2024
bislimi:-skema-e-profesionisteve-te-rinj-transformoi-administraten-publike

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e festimit të 20-vjetorit të Skemës së Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme).

Përgjatë fjalës së tij ai shprehu se ky projekt ka ndihmuar nё transformimin e administratës publike të Republikës së Kosovës duke qenë më shumë se thjesht një bursë, por edhe katalizator i zhvillimit tё institucioneve, ashtu edhe vetë individёve tё pёrfshirё.

“Programi i skemёs sё Profesionistёve tё Rinj, pёrgjatё 14 raundeve tё organizuara nё dy dekadat e fundit ka mbёshtetur mbi 440 të rinj e të reja duke u mundёsuar atyre tё ndjekin studime të avancuara jashtë Kosovës. Pastaj, tё aplikojnё njohuritё e pёrfituara nё institucionet tona publike duke kontribuar kёshtu në ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të drejtë dhe më të afërt me standardet evropiane”, tha zëvendëskryeministri Bislimi, njofton Kryeministria.

Tutje sipas njoftimit, Bislimi tha se skema ka luajtur një rol me rёndёsi në avancimin e shumë proceseve kyçe brenda administratës publike, si një investim që vazhdon tё prodhojё institucione më të forta dhe procese më efikase. Theksoi se që nga raundi i XI-të, skema tashmë është e bashkëfinancuar edhe nga Qeveria.

“Ky program është plotësisht në linjë me prioritetet e Qeverisë për fuqizimin dhe arsimimin e të rinjve. Ne kemi rritur mbështetjen financiare dhe politike për këtë skemë, duke theksuar rolin qё ia atribuojmё në ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike. Padyshim, sukseset, ndikimi i punës dhe angazhimi i bursistëve vërehet gjithandej, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorët e shoqërisë civile, akademisë dhe biznesit privat”, u shpreh zëvendëskryeministri.

Në përfundim ai falënderoi partnerët që ndihmojnë në mundësimin e programit, veçanërisht Bashkimin Evropian, gjersa rikujtoi dhe hapjen e raundit të XV-të të skemës, duke i ftuar të rinjtë të aplikojnë për të shfrytëzuar 40 bursat nga thirrja e re.

Komento: