Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se sot i kanë dërguar sot një shkresë Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në të cilën janë theksuar 20 modalitete për atë se çfarë mund të bëhet pa kontestuar ligjshmërinë e vendimit për targat.
Bislimi tha se në momentin që ka dakordim do ta bëjnë publike.
“Ne jemi ende në kontakt me Lajçakun, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike. Modalitete janë 20 sosh, në 20 mund të jetë secili, por për të cilin ne kemi diskutuar, edhe të cilin jemi duke e suportuar është diçka tjetër”, tha ai në Tëvë 1.
Bislimi theksoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren.
Ndryshe, nga e hëna fillojnë të shqiptohen gjoba për ata që s’i kanë konvertuar targat në RKS.
Qeverisë Kurti i është kërkuar disa herë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ta shtyjë vendimin për targat.